Leqet e Hotit

Alpet Shqiptare kanë qenë rajoni më i izoluar në Shqipëri për shkak të terrenit tepër të thyer malor. Hyrja më perëndimore e Alpeve është nga Leqet e Hotit, të cilat gjenden pikërisht në mes të rrugës prej 97 km Shkodër-Vermosh. Leqet e Hotit përfaqësojnë një seri kthesash të njëpasnjëshme që e bëjnë rrugën prej 4 kilometrash të gjarpërojë në shpatin e malit. Ata zbresin nga 730 m lartësi mbi nivelin e detit deri në 500 m, në shtratin e lumit Cem. Kthesat që përbëjnë Leqet e Hotit janë gjashtë dhe këndi i tyre është 360 gradë, ndërsa pjerrësia e rrugës shkon deri në 5%. Rruga e premtuar që në kohën e Mbretërisë Shqiptare (1927-1939), u realizua nga e ashtuquajtura punë vullnetare e studentëve shqiptarë, në fund të viteve ’60 të shekullit XX. Megjithatë, parametrat bashkëkohorë kësaj rruge iu përmbushën vetëm gjatë dekadës së fundit. Leqet e Hotit janë ndalesa e parë dhe më befasuesja në rrugën drejt Lëpushës përrallore dhe Vermoshit, skajit më verior të Republikës së Shqipërisë. Ata ngrihen mbi luginën e Cemit, i cili është i vetmi lumë që rrjedh përgjatë Shqipërisë por nuk derdhet në territorin tonë. Ai e vazhdon rrugën në Malin e Zi, kufiri me të cilin duket përpara, në të majtë të ballkonit natyral të Leqeve të Hotit.  Leqet e Hotit konsiderohen ndër rrugët malore më panoramike të Shqipërisë.