“Blini Park – restorant dhe kamping (Grykëderdhja e lumit Shalë)”

Grykëderdhja e Lumit Shala është një nga mrekullitë më të famshme në Alpet Shqiptare. Gjeografikisht ajo gjendet në fshatin Lesniqe në breg të Liqenit të Komanit, por vizitorët i ka mahnitur prej vitesh plazhi më në thellësi të grykëderdhjes. Pas Valbonës, Shala është lumi i dytë më i madh i Alpeve Shqiptare. Ai nis nga burimet e Shtrazës në Theth, në lartësinë 800 m dhe pas 37 kilometrash derdhet në Koman, në Lesniqe, rreth 170 m mbi nivelin e detit. Shpatet e malit krijojnë një kanion të gjerë ku kalon Shala para se të derdhet në liqen. Rreth 8 km përpara derdhjes së Koman, që nga vendi i quajtur Guri i Lekës e deri në Nanbli, pjerrësia e shtratit të lumit Shala është gati 0% dhe brigjet e tij të mbuluara me zhavorre të trashë, kanë krijuar plazhin më të jashtëzakonshëm të Alpeve Shqiptare. Plazhi dallohet për ujin e freskët, të kthjellët e të pastër kristal, por edhe për freskinë e ajrit, si pasojë e rrymave ajore që qarkullojnë në grykat e maleve. Gjatë periudhës Qershor-Shtator plazhi frekuentohet nga mijëra vizitorë.  Varësisht nga pika hyrëse (në veri ose në jug), rruga deri te këto plazhe unike kalon mespërmes ose bri tre liqeneve artificiale më të mëdha në Shqipëri: Në jug liqeni i Vaut të Dejës me sipërfaqe 25 kmdhe 74 m mbi nivelin e detit, Komanit më sipërfaqe 34 km2 dhe170 m mbi nivelin e detit, si dhe Liqenit të Fierzës me sipërfaqe 73 kmdhe rreth 290 m mbi nivelin e detit.