Parmenda e drurit është shpikur rreth 3500 vite para Krishtit. Përpara kësaj kohe, njeriu e punonte tokën me shkopinj dhe gurë. E tërhequr fillimisht nga njerëzit, e më pas nga kafshët (një, dy, tre ose edhe më shumë), parmenda e drurit i ka siguruar ushqimin njerëzimit për të paktën 5000 vite. Revolucioni industrial i shekullit të XIX e industrializoi edhe parmendën, duke e zëvendësuar me çelik plugun e saj të drunjtë, si dhe disa pjesë të tjera. Ndërsa në shekullin XX, pjesa më e madhe e parmendës përbëhej prej çeliku (me përjashtim të dy krahëve të drunjtë që lidhin plugun me kafshën tërheqëse). Shpikja e motorit me djegie të brendshme solli gjithashtu në mekanizimin e bujqësisë, duke çuar në zhdukjen e parmendës. Megjithatë, ky mjet për punimin e tokës vazhdoi të përdoret deri vonë në Shqipëri. Aktualisht parmenda mund të gjendet në ndonjë zonë ekstremisht të izoluar të Alpeve Shqiptare, ku nuk është e mundur sjellja e mekanikës moderne. Parmenda përdoret për të punuar sipërfaqe të vogla toke, sidomos për mbjelljen e misrit e fasuleve, patateve. Në male, parmenda tërhiqet me kalë, ndërsa bujku rri rreth 3 m larg kafshës, duke e udhëzuar atë me anë të një shkopi të gjatë të quajtur hosten.